Trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka dalë sot para mediave ku i është përgjigjur gazetarëve për dy ndeshjet e radhës që Shqipëria luan ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe për eliminatoret e Euro 2024.
Trajneri brazilian u ndal edhe te lista e futbollistëve të grumbulluar.
“Sigurisht që kemi moment delikat sepse është fund sezoni dhe lojtarët janë të ngarkuar. Është situatë ku grupi duhet menaxhuar sa më mirë. Duhet menaxhuar intensiteti që lojtari të japë 100% në fushë dhe prandaj kemi zgjedhur 26 lojtarë. Duhet menaxhim i mirë pasi kemi moment delikat.”– tha Sylvinho.
Pas paraqitjes së mirë në Poloni por që nuk prodhoi asnjë pikë, këto dy ndeshje me Moldavinë dhe Ishujt Faroe na vendos para domosdoshmërisë për të marrë maksimumin e pikëve duke qenë se objektivi që ka stafi teknik por edhe të gjithë sportdashësit është kualifikimi për në Euro2024.
“Mundësia për të fituar një ndeshje është, dhe përveç lojës së bukur për të marrë 6 pikët duhet ta tregojmë në fushë. Rezultati nuk është diçka që parashikohet, por duhet të dini se ne kemi 7 ndeshje, 7 finale që duhen fituar për të arritur objektivin. Tani kam në mendje vetëm ndeshjen me Moldavinë. Jam i bindur se në debutimin tim në Shqipëri para tifozëve do të bëjmë më të mirën për të marrë 3 pikë.”
Ndeshja e parë që kuqezinjtë do të luajnë në Shqipëri nën drejtimin e trajnerit Brazilian Sylvinho do të jetë ajo ndaj Moldavisë në “Air Albania” më 17 qershor, ndërkohë që një ditë më pas ata do të nisen drejt Ishujve Faroe për takimin e dytë që do të zhvillohet në transfertë më 20 qershor.
Top Channel