Ndërkombëtarizimi i universiteteve/ MAS jep 300 milion lekë për Universitetet Publike

05/06/2023 15:48

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila publikoi urdhrin e ri për thirrjen e projekteve të përbashkëta për vitin akademik 2023-2024, duke i ftuar të gjitha universitetet publike që të aplikojnë në këtë thirrje.

Ajo tha se në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vënë në dispozicion të universiteteve publike 300 milion lekë për projekte që kanë në fokus zhvillimin, përmirësimin apo rritjen e infrastrukturës akademike, didaktike dhe kërkimore, bazuar në marrëveshjet për programe të përbashkëta ose të dyfishta me universitete të huaja.

Sipas këtij urdhrin, universitetet, përveç kërkesës për financim, duhet të bashkëlidhin në aplikim edhe projekt-propozimin, ku të identifikohen qartësisht objektivat, aktivitetet, kostot e parashikuara dhe masa e bashkëfinancimit.

Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më 20 Qershor të këtij viti, ndërsa vlerësimi do të kryhet brenda datës 30 Qershor 2023.

Sipas këtij urdhri përparësi në përzgjedhjen e projekteve fituese do të kenë universitetet publike që kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkëta me institucione të huaja dhe të cilat deklarojnë përqindje më të lartë të bashkëfinancimit nga të ardhurat e tyre për projekt-propozimin e paraqitur.

Top Channel