“Serbia ta njohë Kosovën”, kryeministri Albin Kurti mesazh nga Parisi drejtuesve të ardhshëm në Beograd Në kohën kur situata ende nuk është shtensionuar në veri të Kosovës, duke detyruar të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajcak të rinisjen ecejaket diplomatike në rajon, Albin Kurti, përmendi sërish idenë e shkëmbimit të territoreve duke thënë se kjo çështje ka qenë pjesë e bisedimeve për ndarje të Kosovës.
Teksa kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për qetësimin e situatës, Kurti insistoi se një projekt i tillë, edhe pse i dështuar, duket se po kërkohet të realizohet përmes dhunës.
”Janë tre kategori që po i bëjnë këto trazira sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërsa ata duan ndarjen e saj, duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre”, u shpreh ai në një intervistë për TheGeopost.
Kurti u shpreh se kjo ide kishte nxitur edhe disa shqiptarë të merreshin me të.
”Shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që ta pranonin”, tha ai.
“Ata nuk kanë hequr hequr dorë nga kjo ide, e cila mund të zbatohet vetëm përmes dhunës. Dikur mund të vinte përmes bisedimeve, por sot kjo mund të ndodhë vetëm përmes dhunës, ndaj na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë”, është shprehur kryeministri kosovar.
Ai shtoi se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri.
Top Channel