Urdhri i ekzekutimit të prokurorisë Elbasan për vënien në zbatim të vendimit ndaj Saimit Tahirit ka mbërritur në shërbimin e provës Tiranë.
Burimet e sigurta i thanë Anila Hoxhës ekskluzivisht se punonjës të kësaj drejtorie po shkojnë në banesën e Tahirit për t’i komunikuar detyrimet që duhet të ndjekë për vendimin qëndrim në shtëpi.
Sipas vendimit të gjyqtares Matilda Fetahu ish ministri del nga banesa vetëm për shërbime familjare për të cilat duhet të njoftojë specialistin e shërbimit të provës Tiranë.
Kujtojmë se ish ministri la burgun disa ditë më parë, për të vazhduar qëndrimin shtëpi, sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit. Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për ta liruar.
Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.
Gazetarja Anila Hoxha mëson se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.
Ndërkohë, avokati i Tahirit shprehet se kushtet për lirimin e klientit të tij janë plotësuar.
“Janë kushtet që janë plotësuar. Saimir Tahirit i ka mbetur dhe një vit, shtatë muaj dhe 11 ditë. Kushtet thonë që të këtë fëmijë të mitur dhe ligji thotë që bashkëshortja të jetë në pamundësi dhe bashkëshortja e Tahirit është sëmurë. Nuk ka rrezikshmëri dhe vetë personi të mos ketë rrezikshmëri. Këto katër kushte që janë lehtësisht të provuara, e çuan gjykatën të ndryshojë masën”, u shpreh Maks Haxhia.
Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit, Habilajt kultivuan kanabis sativa.
Por, për të ulur dënimin dhe për të fituar lirinë, Tahiri ka futur në lojë të gjitha kartat. Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK-u, shërbimi i provës dhe i burgosuri VIP iu drejtuan Gjykatës së Elbasanit.
Një kleçkë procedurale atëherë e bindi Saimir Tahirin se deri në datën 4 shkurt 2022 kur u vendos që ai të shkonte në qeli, koha po ecte për të si për një të dënuar nën shërbim prove.
Ish-ministri i tha Gjykatës së Elbasanit se SPAK harroi të nxirrte një urdhër të ekzekutimit të dënimit pavarësisht se ai u paraqit pranë shërbimit të provës.
Shërbimi i provës këmbëngulte se ish-zyrtari u paraqit vetëm njëherë dhe u refuzua pasi prokuroria nuk kishte sjellë urdhër. SPAK insistoi se vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe nuk kishte shkak ligjor pse të nxirrte urdhër ekzekutimi.
Top Channel