BE-ja kërkon t`i vazhdojë përpjekjet për afrimin e Kosovës me Serbinë përmes dialogut.

Për këtë arsye, blloku është i gatshëm të organizojë një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, por thotë, se më parë duhen krijuar kushtet drejt një hapi të tillë.

 “Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritësit e një takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur te krijohen kushtet, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne nisëm të dërguarin e posaçëm të Mirosllav Lajçak. Ai, pas ndalesave në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë tek Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe ky i fundit do të njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejshëm”, u shpreh zwdhwnwsi i BE-sw Peter Stano.

Vizita e radhës e Lajçakut dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë sot e në Serbi nesër, synon pikërisht ç’tensionimin e situatës në terren.

 “Ata shkojnë për të vazhduar punën për zbatimin e apeleve europiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të marrin masa për zgjidhje të qëndrueshme. Dhe platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, u shpreh Stano.

Top Channel