Përdorte lokalin për lojëra fati, vihet në pranga 20-vjeçari në Laç, 4 të tjerë nën hetim

04/06/2023 11:48

Një 20-vjeçar është arrestuar dhe 4 persona të tjerë janë nën hetim për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit me kompjuterë dhe tavolina pokeri në Laç.

20-vjeçari banues në Fushë Milot E.J kishte marrë një lokal me qira në lagjen nr. 6, Laç për të ushtruar këto veprimtari. Policia në bazë të operacionit “Basti i fundit”, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 kompjuterë për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në gjendje të lirë po hetohen 32-vjeçari S.S banues në fshatin Droje, 30-vjeçari G.K, 26-vjeçari M.J dhe 30-vjeçari Sh.J të tre banues në Thumanë, të cilët u gjetën në këtë lokal në momentin e ndërhyrjes nga policia.

Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 7 kompjuterë për lojëra fati, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Top Channel