Në BBC Radio mëngjesin e së dielës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe i dërguari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar përplasën mendimet e tyre për veriun e Kosovës.

Për kryeministrin e Kosovës, kryetarët do vijojnë të qëndrojnë në zyra për të bërë punën e tyre, ndërsa shprehu edhe njëherë shqetësimin se protestat në veriun e Kosovës, po i organizojnë grupe kriminale të ardhura nga Beogradi.

Ne do ta pakësojmë numrin e forcës policore, por më parë ata që sulmuan forcat e sigurisë dhe gazetarët duhet të shkojnë në burg”- tha Kurti.

Edhe njëherë tjetër ai përsëriti qëndrimin se SHBA dhe BE janë partnerët e padiskutueshëm të vendit, ndërsa sipas tij nuk do të lejojë që një republikë demokratike të bjerë në duart e një milicie fashiste. Serbët në Kosovë sipas tij nën trysninë e Beogradit zyrtar nuk lejohen të kenë më shumë se një parti, ndërsa Lista Serbe sipas tij,  gjithmonë e më shumë po urrehet në vend.

Për Escobar tensionimi i situatës erdhi pasi Kurti refuzoi të dëgjonte komunitetin ndërkombëtar. Përpjekjet tona për tu koordinuar me qeverinë e Kosovës u refuzuan. Nuk kishin nevojë të shkonin në ato objekte, dhe nuk shohim ndonjë vlerë në këtë dhe tashmë janë gati të zbrazura, vazhdoi fjalën e tij Escobar, duke konfirmuar edhe njëherë qëndrimin kundërshtues për ndërhyrjen në veriun e Kosovës.

Ai kërkoi menjëherë zgjidhjen e situatës. Për përfaqësuesin amerikan Kosova duhet të nisë punën për krijimin e Asociacionit, ndërsa kërkoi që Policia të tërhiqet nga komunat pa kushte, dhe të përgatiten zgjedhjet e reja.

Të hënën, i dërguari i BE Mirosllav Lajçak dhe Escobar do të bëjnë një vizitë në Prishtinë për tu takuar me liderët e vendit dhe për të filluar bisedimet për zgjidhjen e situatës.

Top Channel