Rama vizitë në Eparkinë Arbëreshe të Ungrës: Arbëreshët kanë ruajtur identitetin në shekuj

03/06/2023 19:55

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama vizitoi Kalabrinë, ku u mikprit me entuziazëm nga komuniteti arbëresh, atje. Vizitë e veçantë ishte ajo në Eparkinë arbëreshe të Ungrës.

Rama e falenderoi Peshkopin e Eparkisë Donato Oliverio për mikpritjen e veçantë dhe e vlerësoi këtë vizitë si një mundësi për të njohur nga afër realitetin e arbëreshëve që në shekuj kanë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi identitetin shqiptar.

“Ju falenderoj për këtë mikpritje dhe për këto momente të veçanta. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë mikpritje, për këtë mundësi për të njohur nga afër, për të dëgjuar dhe për të kuptuar, se si mund të bëjmë më shumë gjëra bashkë, se si mund ndihmojmë njeri-tjetrin”, tha Rama.

Peshkopi i Eparkisë Donato Olivero i dhuroi Ramës një sërë botimesh të shkrimtarëve arbëreshë, të cilat ky i fundit, ua dhuroi disa prej kryebashkiakëve të pranishëm, Benet Becit të Shkodrës, Ermal Dredhës të Vlorës dhe Emiriana Sakos të Durrësit.

Nga ana tjetër, në shenjë mirënjohje, Rama i dhuroi Oliveros një përkrenare simbolike të Skënderbeut të punuar me dorë.

 

 

Top Channel