Për gjermanët, në Shqipëri dhe Turqi janë pushimet verore më të lirat në Evropë

03/06/2023 13:16

E tregojnë të dhënat e Entit Federal të Statistikave, i cili krahasoi kostot e shërbimeve në gastronomi dhe akomodimit në hotele në vende të ndryshme evropiane.

Niveli i çmimeve në Shqipëri dhe Turqi ishte më i ulëti ndër vendet e krahasuara nga Byroja Federale e Statistikave. Në të dyja këto vende, çmimet e shërbimeve turistike ishin 56% më të ulëta se në Gjermani. Në Portugali dhe Maltë, kostot e të ngrënit në restorante dhe qëndrimi në hotele ishin 28% më të ulëta për turistët gjermanë sesa në vendlindje.

Në Spanjë, Poloni dhe Republikën Çeke, të njëjtat shërbime janë paguar mesatarisht 18% më pak në mars të këtij viti (muaji në të cilin Destatis ka analizuar çmimet) sesa në Gjermani. Në Kroaci dhe Qipro – 17% më pak. Në Greqi, kursimet arritën në 21%.

Çmimet ishin edhe më të favorshme në Mal të Zi dhe Rumani – ku akomodimi në hotel dhe shkuarja në një restorant mund të ishte 46% më lirë se në Gjermani. Sipas Destatis, Kroacia është një vend më i shtrenjtë për turistët sesa konkurrentët e saj evropiano-jugor, Turqia, Greqia, Portugalia dhe Spanja.

Për sa u përket vendeve në jug të Evropës, nga të gjitha vendet në të cilat Destatis analizoi çmimet, Italia ishte më e shtrenjta. Por edhe në gadishullin Apenin, sipas statisticienëve gjermanë, niveli i çmimeve në hotele apo restorante në periudhën e hulumtuar ishte pesë për qind më i ulët se në Gjermani / DW

Top Channel