Erdogan merr zyrtarisht mandatin e ri, do të drejtojë Turqinë edhe për pesë vite të tjera

03/06/2023 23:03

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar për mandatin e ri presidencial, pas fitores në balotazhin e 28 majit.

Tashmë lideri turk mori mandatin e tretë presidencial dhe do të jetë në krye të Turqisë për pesë vitet e ardhshme.

Udhëheqësi më jetëgjatë i Turqisë premtoi të shërbejë “në mënyrë të paanshme” pasi fitoi një balotazh historik për të zgjatur sundimin e tij.

Nga ana tjetër ai i bëri thirrje opozitës që të pranojë vendimin që populli turk mori, dhe të bashkohen për hir të demokracisë së vendit.

“Për hir të Turqisë dhe demokracisë turke, ne presim që opozita të veprojë me një ndjenjë përgjegjësie. Ne besojmë se Turqia ka nevojë për një bashkim të madh në këtë vit kur ne ndjejmë emocionet e arritjes së 100-vjetorit të Republikës sonë. Prej këtu, i ftoj të gjithë qytetarët e mi që të fillojnë një mobilizim të vëllazërisë në të gjitha 81 provincat me të gjitha rrethet, fshatrat dhe familjet e tyre”, tha lideri turk.

Erdogan fitoi 52.18 përqind të votave ndërsa rivali i tij Kemal Kilicdaroglu shënoi 47.82 përqind. Me këtë rezultat ai shënoi një tjetër arritje në karrierën e tij politike.

Gjatë agjendës së të shtunës 69-vjeçari fillimisht mbërriti në parlamentin turk në Ankara për të bërë betimin.  Më pas ai vizitoi Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës moderne të Turqisë.

Me tej gjatë programit lideri turk mori pjesë në ceremoninë speciale në pallatin presidencial në Ankara së bashku me bashkëshorten e tij.

Më shumë se 30 krerë shtetërorë dhe kryeministra janë pjesë e ceremonisë në Ankara – në mesin e tyre edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA