Bilanci vijon të mbetet tragjik për përplasjen e shumëfishtë të trenave në në shtetin lindor të Indisë, Odisha, ku humbën jetën të paktën 288 persona dhe u plagosën 803 të tjerë, ndërsa kërkimet vijojnë ende për të zhdukur.
Menjëherë pas njoftimit qindra ambulanca e mjekë u dërguan në vendin e ngjarjes, ku një tren pasagjerësh mendohet se ka dalë nga shinat para se të goditej nga një tjetër në shinat ngjitur.
Ky është aksidenti më i rëndë i trenit në Indi këtë shekull, ndërsa zyrtarët thonë se numri i të vdekurve pritet të rritet më tej. Si pasojë e ngjarjes së rëndë India ka shpallur ditë zie, në nder të viktimave të aksidentit.
Zyrtarët indianë thanë se një tren mallrash, i cili ishte i palëvizshëm në vend, gjithashtu u përfshi në incident, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.
Disa pasagjerë të mbijetuar u panë duke nxituar për të ndihmuar në shpëtimin e të bllokuarve në rrënojat.
Kompanitë lokale të autobusëve po ndihmonin gjithashtu në transportin e pasagjerëve të plagosur.
Ministri i hekurudhave Ashwini Vaishnaw njoftoi më herët kompensimin prej rreth 12,000 dollarë për familjet e viktimave, 2,400 dollarë për ata që kishin pësuar lëndime “të rënda” dhe 600 dollarë për njerëzit me lëndime “të lehta”. Opozita kritikoi qeverinë dhe bëri thirrje që Vaishnaw të jepte dorëheqjen.
India ka një nga rrjetet më të mëdha të trenave në botë dhe aksidentet janë të zakonshme, pavarësisht se qeveritë e njëpasnjëshme investojnë qindra miliona dollarë për të përmirësuar infrastrukturën.
Fatkeqësia më e rëndë e trenit në Indi ishte në vitin 1981, kur një tren i mbipopulluar pasagjerësh u hodh nga binarët dhe u hodh në një lumë gjatë një cikloni në shtetin Bihar, duke vrarë të paktën 800 njerëz.
Top Channel