Alma Beqiri nga Korça, prej disa muajsh ishte nën hetim pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lek dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, Beqiri nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim, duke i mashtruar.
Sipas policisë, 46-vjeçarja, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro.
Shumën e konsiderueshme të përfituar, Beqiri dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.
Në lidhje me rastin po hetohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel