Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dha disa detaje për takimin që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç si dhe ka konfirmuar se mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, gjithnjë duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Ky konfirmim u bë pas kërkesës së presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësinë e zgjedhjeve në veri dhe jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin”, deklaroi Osmani.

Osmani në një konferencë për media, në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, shtoi se nuk kishte plane ta takonte presidentin e Serbisë, por ndodhi pas këmbënguljes nga shumica e liderëve evropian.  Ndërkohë shtoi se lideri serb u ankua dhe ofendoi në gjuhën e tij.

 “Vuçiç ka shkëmbyer mendime, ai ankohej dhe natyrisht duke mos thënë të vërtetën, që është një virtyt i tij. I kërkova që ta largonte ushtrinë nga kufiri me Kosovën. Vuçiç ishte i tërbuar, siç e dini, i pëlqen të ofendojë në gjuhën e tij, por ajo që ishte e rëndësishme është se ne morëm këshillat e aleatëve tanë për këtë takim”, shtoi më tej ajo.

Presidentja e Kosovës shtoi se po punon me BE-në dhe partnerët amerikanë për një zgjidhje të situatës në veri, ku fokusi të jetë në zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Top Channel