Gjykata e Tiranës dha vendimin për 16 vite burg për Levendin për vrasje me paramendim, por duke përfituar nga ulja e dënimit, do të qëndrojë në qeli për 10 vite e 8 muaj.
Vrasja ndodhi në 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani” kohë kur 26-vjeçari Jurgen Kurti u qëllua për vdekje nga tre persona. I riu, që ishte i njohur për punën si menaxher i personazheve publik, u qëllua me 17 plumba teksa po dilte nga palestra.
Vrasësi qëndroi në një kafe më shumë se një orë duke e pritur viktimën, madje shkrepi edhe fotografi të vendit, ku i riu po bënte palestër. Menjëherë pasi e qëlloi për vdekje Jurgen Kurtin, vrasësi u largua me taksi.
Gjykata e Apelit sot la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës që e dënoi Leventin me 16 vjet burgim por duke përfituar nga ulja e dënimit ai do të kryejë 10 vite e 8 muaj burg.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim.
– Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Top Channel