Ujërat termale të Bënjës në Përmet si dhe kanioni i Langaricës me gjatësi gati 5 km ofrojnë një prej atraksioneve natyrore më spektakolare në Jug të Shqipërisë.
Megjithatë natyra e egër dhe mungesa e infrastrukturës sinjalizuese, udhëzuesve të posaçëm apo ekipeve për sigurinë e jetës në terren po e kthen luginën e Langaricës në një territor aventurash të rrezikshme.
Më 31 Maj, një turiste gjermane 66-vjeçare humbi jetën e rrëmbyer nga prurjet e menjëhershme të lumit ndërsa gjendej bashkë me të shoqin në thellësi të kanionit. Ngjarje të ngjashme kur turistë e përshkojnë shtratin e lumit të paguiduar ka pasur gjatë gjithë viteve të fundit dhe në të paktën tri raste vitin e kaluar janë rrezikuar jetë njerëzish.
Në hyrje të kanioneve e vetmja tabelë e dukshme, e cila paralajmëron aspekte të ndaluara të frekuentimit të territorit, tregon për ndalimin e nudizmit, mosvënien e zjarrit, apo mbajtjen pastër të mjedisit. Tabela zyrtare që gjendet gati 500 m larg kanioneve përmend mes të tjerash në pikën 7 të rregullores se ndalohet hyrja në kanione kur ka reshje. Të gjitha aksidentet e deritanishme sipas dëshmive lokale kanë ndodhur në kohë pa reshje. Roberti, një vizitor gjerman, thotë se tabela është e paqartë dhe e padukshme për 99% të vizitorëve:
“Kemi dy ditë që kemi ardhur dhe ishim tek vaskat kur ndodhi tragjedia. Na njoftuan banorët që takuam që kanionet ishin të rrezikshme dhe nuk duhej të hynim por tabela në hyrje të parkut nuk të thotë shumë. Për shumicën e vizitorëve ajo është e padukshme. Për mua aspekti i sigurisë nuk është marrë seriozisht”.
Megjithë ngjarjen e rëndë ka ende njerëz që vijojnë të hyjnë çdo ditë në thellësi të kanionit pasi aksidenti nuk u shoqërua me ndonjë masë parandaluese.
Megjithë përpjekjet vetë rregulluese të banorëve vendas turizmi terapeutik dhe ai i aventurës është ende në hapat e parë në Përmet. Në Bënjë temperaturat e ujërave variojnë nga 26-32ºC dhe potenciali turistik mbetet gjithëvjetor.
Mes viteve 1964-1975 katër vaskat sulfurore shfrytëzoheshin nga shteti e njëkohësisht edhe përshkimi i kanioneve por më pas shfrytëzimi i tyre ka qenë kaotik dhe spontan çka për më tepër nuk i ka shërbyer mbrojtjes së duhur të këtij aseti natyror.
Top Channel