Rreth 200 demonstrues kundër reformës së pensioneve të qeverisë Macron, prisnin sot me tenxhere e kapakë kryeministren franceze Elisabeth Borne, në Laval para se ajo ë mbërrinte për të diskutuar “problemet e punësimit” në rajonin veriperëndimor të Loire.
Teksa protestat dhe grevat vijojnë ndaj zyrtarëve qeveritarë franceze në të gjitha zonat e vendit, kryeministrja ka thënë se vjen në rajon për të nxitur krijimin e vendeve të punës, me qendra kujdesi për fëmijët si kopshte e çerdhe.
Zhvillimi vjen ndërkohë që fermerët francezë janë gjithashtu në protestë për kufizimet e prodhimit të vendosura nga qeveria, ndersa opsionet e punësimit në kopshte e çerdhe nuk dukej se qetësonin demonstruesit.
Borne vizitonte sot qytetet Angers e Laval duke thënë se qindra mijëra vende pune do të krijoheshin në sektorin e kujdesit të fëmijëve në vitet në vijim, edhe pse më parë është pranuar mungesa e stafit për këto qendra.
Mijëra njerëz kanë demonstruar në qendrat e mëdha franceze kundër reformës së pensioneve të qeverisë franceze, e cila u kalua pa maxhorancën e nevojshme në parlament dhe mes pakenaqesise se gjere publike.
Sindikatat kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga lëvizja e tyre teksa në disa raste grevat kanë ndaluar transportin publik në qytetet e vendit.
Top Channel