Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka theksuar nevojën për de-eskalimin e situatës në veri të Mitrovicës.

Ambasadori De Riu tha se është thelbësore që palët të bëjnë një hap prapa për uljen e tensioneve në katër komunat veriore. Në pritjen solemne me rastin e festës Kombëtare të Italisë, De Riu, riktheskoi mbështetjen ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik.

“NATO dhe ushtria jonë do të mbeten për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës, por është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga të gjitha palët e përfshira që menjëherë të bëjnë një hap prapa dhe të kontribuojnë në zbutjen e tensioneve. Qeveria italiane do të vazhdojë të punojë për rivendosjen e qetësisë dhe kthimin në rrugën e dialogut dhe diplomacisë në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, duke filluar nga BE-ja dhe QUINT”, tha ai.

Në shënimin e pavarësisë së Italisë, ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vlera e ushtarëve italian në Kosovë u tregua edhe të hënën, më 29 maj në Zveçan, ku u përballën me “turmën e infiltruar nga elementë të dhunshëm ekstremistë, pjesërisht nga jashtë Kosovës, me qëllime kriminale”.

Ai shtoi se ata që sulmojnë paqeruajtësit sulmojnë paqen. Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Të hënën protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

 

Top Channel