Begaj takim me presidenten e Hungarisë Novak: Vlerësoj kontributin me trupa ushtarake në Kosovë

01/06/2023 11:47

Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një takimi me presidenten e Hungarisë Katalin Novak me qëllim për një bashkëpunim dypalësh, për procesin e integrimit në BE e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe për zhvillimet aktuale në rajon.

“I shpreha keqardhjen presidentes Novak, për ushtarët hungarezë të lënduar në Veri të Kosovës. Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik. Faleminderit Hungarisë që inicioi shpalljen nga OKB të 5 shtatorit si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë në nderim të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza.

Falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë. Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri. Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mundësitë janë shumë të mëdha. Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Vlerësova kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it. Për ne ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE. Vlerësuam dhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare.  Hungaria  mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Bajram Begaj.

Top Channel