Albanologjia tek Akademia e Shkencave, Gjinushi: Rrit bashkëpunimin dhe lehtëson punën shkencore

01/06/2023 19:58

Kryesia e Akademisë së Shkencave paraqiti qëndrimin e saj për rikthimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë saj, duke theksuar se ky vendim nuk nënkupton shkrirje të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe instituteve të saj, por një bashkim dhe bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë të vendit dhe me njësi e qendra të tjera kërkimore në Shqipëri e më gjerë.

Ky vendim në të njëjtën kohë është pjesë e procesit të reformimit të ASHSH e të sistemit kërkimor shkencor në bazë të ligjit nr. 53/2019, i cili synon që Akademia e Shkencave, nga një institucion honorifik, të kthehet në një qendër reale të kërkimit shkencor.

Në njoftimin me shkrim shpjegohen arsyet, bazuar në ligjin për arsimin e lartë përse nuk mund të ekzistojnë dy akademi, si institucione paralele, aq më tepër në kushtet e pamundësisë nga ana ligjore të ASA-s për t’u kthyer në institucion të arsimit të lartë.

Më herët, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike e konsideroi një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Duke theksuar se Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.

Top Channel