Për CNN, Vuçiç u shpreh se Kosova nuk ka përmbushur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011. Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vuçiç pretendon se që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza etnie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës:

“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”.

Ai e mohon akuzën e Kurtit se ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.

Vuçiç ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë.

Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë shprehet se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore”.

Top Channel