Protestuesit serbë kanë vendosur një flamur gjigant të shtetit të tyre edhe në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës.
Në këtë komunë, protestuesit serbë e vendosën flamurin në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Ata po protestojnë që prej orëve të mëngjesit, në kundërshtim të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Protestuesit serbë kanë përdorur edhe fëmijët e tyre në protestën e sotme në Zubin Potok.
Prej tre ditësh në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të efektivëve, e duke sulmuar mediat.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë dhe kanë anuluar pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Top Channel