Foto Ilustruese

Xhamat e një makine të Policisë së Kosovës janë thyer para pak çastesh në Zveçan.

Një automjet i cili ishte duke qarkulluar nga objekti i komunës së Zveçanit, në drejtim të Mitrovicës, theu xhamat e një veture të Policisë së Kosovës dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Kjo është dita e tretë ku në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të tyre, ku kanë dëmtuar automjete të mediave, përfshirë atë të Top Channel, të cilës i hoqën targën dhe shkruajtën simbole serbe.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Top Channel