Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar të shpërndahen. Ata qëndruan para objektit të Komunës për ore të tëra, si dhe vendosen një flamur gjigant në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Në protestën e sotme nuk u panë serbë me maska, ndërsa në mesin e tyre pati edhe fëmijë.

Ajo që ra në sy ishte edhe fakti se protestuesve iu soll ushqim në mënyrë të organizuar. Ndërkaq, në fund të ditës një protestues i dehur ka tentuar t’i afrohet Policisë së Kosovës, por i njëjti u largua nga qytetarët e tjerë serbë.

Prej 3 ditësh serbët vijojnë protestat në komunat veriore, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit me maska edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni ndërsa në Zveçan kanë dëmtuar edhe veturën e policisë.

Top Channel