Video/ Ngjarja sportive ekstreme në Angli, qindra njerëz në garë për të kapur djathin në kodrën e pjerrët

30/05/2023 10:59

Qindra njerëz kanë marrë pjesë në ngjarjen vjetore sportive ekstreme të djathit.

Konkurrentët ndoqën një rrotë djathi Gloucester 3 kg poshtë kodrës pothuajse vertikale të Coopers në Brockworth, afër Gloucester, Angli.

Ngjarja me famë botërore është zhvilluar pavarësisht lëndimeve që njerëzit mund të marrin gjatë kësaj gare.

Kjo është një traditë që u fut për herë të parë në librat e historisë 197 vjet më parë në 1826. Disa teori rreth historisë së saj sugjerojnë se mund të jetë deri në 600 vjet e vjetër. Në këtë garë kanë ardhur nga një gamë e gjerë vendesh të ndryshme, duke përfshirë Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Egjiptin, Nepalin, Zelandën e Re dhe Shtetet e Bashkuara.

Matt Crolla, 28 vjeç, nga Mançesteri, fitoi garën i parë. Ndërsa gara e femrave u fitua nga Delaney Irving, e cila u rrëzua pa ndjenja teksa ndiqte djathin.

“Jam i lumtur që jam mjaft i vetëdijshëm dhe nuk kam marrë shumë lëndime serioze,” tha Crolla.

I pyetur se si u përgatit për garën ai tha: “Unë nuk mendoj se duhet të stërvitesh për të, apo jo? Është thjesht të jesh idiot.

Kampionia e femrave, Irving, 19 vjeç, nga ishulli Vankuver në Kanada u shpreh: Më kujtohet se po vrapoja, më pas përplasa kokën dhe u zgjova në çadër. Ende nuk mund ta besoj se fitova, por ndihëm shumë mirë.

Kyla Hill, nga Team Cheese, grupi i vullnetarëve që ndihmojnë në organizimin e ngjarjes, tha se ishte e pasionuar pas kësaj gare.

“Kjo ngjarje e bën fshatin Brockworth të famshëm, tërheq njerëz nga e gjithë bota. Unë po flisja me një çift mbrëmë, të cilët kishin ardhur veçanërisht nga Uashingtoni”, u shpreh ajo.

Një tjetër fitues ndërkombëtar ishte Ryoya Minami nga Japonia. I pyetur pse hyri në garë, ai u përgjigj “sepse e dua djathin”.

Zonja Hill shtoi se të tjerë kishin ardhur nga Teksasi dhe Zvicra për ngjarjen. Dyshja zvicerane Midori Gasseling dhe Kim Scherer provuan fatin por nuk fituan.

Top Channel