Vazhdojnë luftimet në Sudan, pavarësisht armëpushimit të ri

30/05/2023 13:42

Luftimet në Sudan vazhduan edhe më 30 maj, pavarësisht se një ditë më parë u arrit një marrëveshje mes dy gjeneralëve ndërluftues për zgjatjen e armëpushimit, që synon ta mundësojë ardhjen e ndihmave për civilët e rrethuar.

Si ushtria e rregullt, ashtu edhe Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ranë dakord zyrtarisht më 29 maj për ta zgjatur për pesë ditë armëpushimin humanitar të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite, i cili u shkel disa herë gjatë javës së kaluar.

Por, edhe pasi u njoftua zgjatja e armëpushimit, raportimet nga banorët për luftime të ashpra vazhduan, përfshirë për “përleshje me lloje të ndryshme armësh në Khartoum-in jugor” dhe luftime në Nyala në shtetin e Darfurit të Jugut.

Udhëheqësi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe ish zëvendësi i tij, komandanti i RSF-së, Mohamed Hamdan Daglo, e akuzuan përsëri njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit dhe pretenduan se po i përgjigjeshin vetëm agresionit të armikut.

Lufta ka vrarë të paktën 1.800 njerëz, ndërsa më shumë se një milion janë zhvendosur dhe gati 350.000 kanë ikur në vende të tjera, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sipas OKB-së, banorët po fshihen nga luftimet nëpër rrugë dhe nga plaçkitësit në kryeqytetin prej më shumë se pesë milionë banorësh. Gati 700.000 njerëz janë larguar nga kryeqyteti, sipas OKB-së.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të hënën se Sudani është bërë një nga zonat më në rrezik për pasiguri ushqimore dhe kërkoi veprim “urgjent” nga komuniteti ndërkombëtar.

Që nga shpërthimi i luftimeve më 15 prill, të dy gjeneralët janë pajtuar disa herë për zgjatjen e armëpushimit. Por, të dyja palët ndërluftuese janë akuzuar vazhdimisht për mosrespektim të armëpushimit.

Ato janë akuzuar edhe për shpërfillje të ligjeve të luftës duke sulmuar shtëpitë, dyqanet, tempujt e besimtarëve dhe infrastrukturën e ujit e energjisë elektrike./REL

Top Channel