Shkencëtari kryesor kinez: Nuk përjashtohet mundësia e rrjedhjes së Covid-19 nga laboratori

30/05/2023 10:26

Mundësia që virusi i Covid-19 të ketë rrjedhur nga një laborator nuk duhet të përjashtohet, ka thënë një ish-shkencëtar i lartë i qeverisë kineze për BBC News.

Kreu i Qendrës së Kinës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Prof George Gao luajti një rol kyç në përgjigjen ndaj pandemisë dhe përpjekjet për të gjurmuar origjinën e saj.

Qeveria e Kinës hedh poshtë çdo sugjerim se sëmundja mund të ketë origjinën në një laborator në Wuhan. Por Prof Gao me deklaratën e tij së fundmi është treguar i sinqertë.

Gjatë një podcasti për BBC Radio 4 Fever, Prof Gao është shprehur:  Gjithmonë mund të dyshoni për çdo gjë. Kjo është shkencë. Mos përjashtoni asgjë.

Virolog dhe imunolog kryesor në botë, Prof Gao tani është nënkryetar i Fondacionit Kombëtar të Shkencave Natyrore të Kinës, pasi u tërhoq nga CDC vitin e kaluar.

Prof Gao ka thënë për BBC se ishte kryer një lloj hetimi zyrtar në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV).

“Qeveria organizoi diçka,” thotë ai, por shton se ajo nuk përfshiu departamentin e tij, CDC-në e Kinës.

I pyetur nëse qeveria kineze ka kryer një kërkim zyrtar në Institutin e Virologjisë në Wuhan, (një nga laboratorët më të mirë kombëtarë të Kinës), ai është shprehur: Laboratori  u kontrollua dy herë nga ekspertët e fushës.

Prof Gao ka pranuar për herë të parë se ka ndodhur një hetim zyrtar, por shprehet se nuk e ka parë rezultatin. Sipas tij ai ka dëgjuar se laboratorit i është dhënë një vlerësim i pastër shëndetësor.

“Unë mendoj se ata po ndjekin të gjitha protokollet dhe nuk kanë gjetur asnjë keqbërje”, u shpreh prof Gao.

Virusi që shkakton Covid-in është e sigurt që erdhi nga lakuriqët e natës. Por si erdhi nga lakuriqët e natës është një pyetje shumë më e diskutueshme dhe që nga fillimi kishte dy mundësi kryesore.

Njëra është se virusi u përhap natyrshëm nga lakuriqët e natës te njerëzit, ndoshta nëpërmjet kafshëve të tjera. Shumë shkencëtarë thonë se pesha e provave sugjeron se ky është skenari më i mundshëm.

Por shkencëtarë të tjerë thonë se nuk ka prova të mjaftueshme për të përjashtuar mundësinë kryesore alternative, që virusi infektoi dikë të përfshirë në kërkime që ishin krijuar për të kuptuar më mirë kërcënimin e viruseve që dalin nga natyra.

Top Channel