Në Zubin Potok, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka përfunduar protesta e serbëve lokalë.

Ndonëse në numër më të vogël sesa një ditë më parë, të martën serbët lokalë protestuan sërish në Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave.

Protestuesit po ashtu kërkojnë që Kosova të tërheqë njësitë speciale policore nga veriu.

Në Zveçan, ndërkaq, një zyrtar i Listës Serbe u kërkoi më herët qytetarëve që të shpërndaheshin rreth orës 16:00, duke i ftuar që të mblidhen sërish të mërkurën.

Policia e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë qëndruar afër ndërtesave komunale të tri komunave në veri.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës.

Ndërkombëtarët e kanë dënuar “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj të komunave dhe u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin për të çuar kryetarët e rinj në komuna, ndërsa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA