Ministria e Brendshme në Kosovë: Nuk ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani

30/05/2023 11:11

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani.

Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.

“Lajmi që ka dalë në media se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it, nuk qëndron”, thanë nga MPB-ja për REL-in.

Më 29 maj u arrestuan pesë të dyshuar për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veri, që janë parë në negociata me KFOR-in, kanë paraqitur dy kërkesa si kusht për ndalimin e protestave: tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe moshyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave me shumicë serbe në veri.

Nga KFOR-i nuk janë bërë deklarime në lidhje me këto kërkesa.

KFOR të hënën bëri të ditur se ka shtuar prezencën në komunat në veri të Kosovës, ku edhe të martën po vazhdojnë protestat e serbëve.

Top Channel