Japoni: Ndalimi i martesave mes personave të gjinisë së njëjtë, antikushtetuese

30/05/2023 11:04

Një gjykatë në Japoni konstatoi më 30 majn se moslejimi i martesës mes personave të gjinisë së njëjtë është antikushtetuese.

Ky vendim u mirëprit nga aktivistët si një hap drejt barazisë martesore në Japoni, vendin e vetëm nga shtatë vendet më të industrializuara në botë (G7) që nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Vendimi i Gjykatës së Qarkut të Nagojës ishte i dyti që konstatoi se ndalimi i martesave mes personave të gjinisë së njëjtë përbën shkelje të kushtetutës. Gjatë dy vjetëve të fundit, katër raste të tilla gjithsej janë trajtuar nga gjykatat në Japoni.

Kushtetuta e Japonisë thotë se martesa është midis një burri dhe një gruaje. Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e japonezëve përkrahin martesat e pjesëtarëve të komunitetit LBGTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Disa çifte të gjinisë së njëjtë kanë paditur me raste shtetin e Japonisë, duke thënë se ndalesa ndaj tyre për t’u martuar përbën shkelje kushtetuese.

“Ky vendim na ka shpëtuar nga dhimbja shkaku i vendimit të vitit të kaluar që thoshte se nuk kishte asgjë të keqe me ndalimin [e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë] dhe nga dhimbja që e kemi shkaku i asaj që vazhdon ta thotë qeveria”, tha avokatja kryesore në këtë rast, Yoko Mizutani.

Ajo i referohej një vendimi nga një gjykatë në Osaka vitin e kaluar që konstatoi se ndalimi nuk ishte në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Një gjykatë në Tokio më vonë e mbështeti ndalimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë, por tha se mungesa e mbrojtjes ligjore për familjet e krijuara nga personat e gjinisë së njëjtë përbën shkelje të të drejtave të tyre njerëzore.

Vendimi i 30 majit u prit me brohoritje nga aktivistë dhe mbështetës që valëvitnin flamuj me ylber jashtë gjykatës.

Megjithëse sondazhet tregojnë se rreth 70 për qind e publikut e mbështet martesën mes personave të gjinisë së njëjtë, Partia Liberale Demokratike (LDP) konservatore në pushtet e kryeministrit Fumio Kishida i kundërshton këto martesa.

Megjithatë, më shumë se 300 komuna japoneze që kanë rreth 65 për qind të popullsisë i lejojnë çiftet e gjinisë së njëjtë të hyjnë në marrëveshje partneriteti.

Por, të drejtat e tyre janë të kufizuara. Partnerët e gjinisë së njëjtë nuk mund të trashëgojnë asetet e njëri-tjetrit ose të kenë të drejta prindërore për fëmijët e njëri-tjetrit. Vizitat në spital nuk janë të garantuara.

Mizushima tha se gjykata në vendimin e saj kishte theksuar se marrëveshjet e tilla të partneritetit nuk ishin të mjaftueshme.

Qeveria u zotua se do ta miratonte një ligj që promovonte “mirëkuptimin” e personave të komunitetit LGBTI+ përpara se ta organizonte samitin e G7, por kundërshtimi nga ligjbërësit konservatorë bëri që ligji të vonohej dhe një version jo i kënaqshëm u dorëzua në parlament vetëm një ditë para fillimit të samitit./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA