Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri të vendit, duke theksuar se sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it, tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e trupave të NATO-s me mision në Kosovë.

Sipas LDK-së, këto tendenca e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës.

“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj. Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë. LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LKD thekson se përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim.

“LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”, thuhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA