Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi kujtimin e Nënës Pashke Krasniqi Markaj.

Ai së bashku me studiuesen Nora Visoka Weller dhe shkrimtarin Ag Apolloni, bëri homazhe te varri dhe vendi i vetëflijimit të Nënës Pashke dhe vizitoi familjen Markaj në Gjakovë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, bashkë me familjarët e saj përkujtuan Nënën Pashke, e cila ditën e 27 majit 2003, i vuri flakën vetës pasi ia kthyen trupat e djemve, Gjovalinit dhe Milanit, të vrarë dhe zhdukur me forcë nga Serbia.

Gjovalin dhe Milan Markaj ishin mes 374 të vrarëve më 27 prill 1999, në masakrën e kryer nga forcat e Serbisë në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës dhe ishin të zhdukur deri në vitin 2003. Ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i Gjovalinit dhe Milanit. Tri ditë më pas, pasi e kreu të pamën, nëna Pashke i vuri vetes flaken, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhimbjes për të bijtë. Në këtë 20-vjetor, Kryeministri Kurti tha se qëndresa dhe sakrifica e Nënës Pashke mbesin të paharruara. Ai theksoi se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të harrohen e as falen”, thuhet në komunikatë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel