Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i dënoi ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të vendit”.

Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.

 “Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kurs dhe të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndizte tensionet dhe do të nxiste konfliktin”, u shpreh Blinken.

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) gjithashtu i tërhoqën vëmendjen Prishtinës zyrtare, duke nënvizuar se lëvizja e saj erdhi pavarësisht thirrjeve të tyre për vetëpërmbajtje.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të tërhiqen menjëherë dhe t’i ulin tensionet, si dhe të koordinohen me EULEX-in dhe KFOR-in. Ne i dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan”, thuhet në njoftimin ku vendet e Quintit shprehën njëkohësisht shqetësimin lidhur me vendimin e Serbisë “për ta rritur nivelin e gatishmërisë së forcave të armatosura në kufi me Kosovën”.

Ato i bënë thirrje “ palëve për përmbajtje maksimale dhe që të shmangin retorikën nxitëse”. BE-ja po ashtu qe shprehur më herët se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të ç’ tensionuar situatën dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë dhe se nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë përparësi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA