Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vendi i të cilit mbanë kryesinë e radhës së Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, tha të premten në Prishtinë se është e rëndësishme që të ulen tensionet në veriun e Kosovës për t’i dhënë hapësirë procesit politik të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Zoti Osmani i cili po qëndron në Prishtinë pas vizitës së një dite më parë në Beograd, tha se misioni i OSBE-së e mbështet fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të kontribuonte në qëndrueshmërinë rajonale.
“Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet në terren në veri të Kosovës për t’i dhënë hapësirë procesit politik të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha zoti Osmani, duke nënvizuar se dialogu në rajonin e Ballkanit Perëndimor është dëshmuar gjithmonë të jetë i dobishëm.
“Nuk duhet të ndalojmë kurrë së foluri për gjëra të rëndësishme. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Jemi të kënaqur që në Ohër kemi pritur një takim të rëndësishëm, i cili hapi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë proces duke kontribuar në qëndrueshmërinë rajonale dhe këtë e thashë dje në Beograd dhe do të doja ta përsërisja këtu në Prishtinë”, tha ai.
Zoti Osmani që po qëndron në Kosovë si kryesues i radhës i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, tha se OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.
“Jam i inkurajuar nga përparimi i fundit duke përfshirë miratimin e Deklaratës për personat e zhdukur. Siç e vura në dukje në Bosnje dhe Hercegovinë dhe riafirmova dje në Serbi, është thelbësore që ne të kthejmë me vendosmëri faqen dhe të shikojmë së bashku për të ardhmen. Përpjekjet e bashkëpunimit rajonal treguan rëndësinë e qëndrimit të afërt dhe të punës së bashku. Sa më shumë ta maksimizojmë dialogun për bashkëpunimin rajonal në Ballkan, aq më shumë minimizojmë hapësirën për mosmarrëveshje”, tha zoti Osmani.
Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla tha se Kosova është e gatshme për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit.
“Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti por një rajon i fqinjëve që bashkëpunojnë mbi baza serioze të respektit të ndërsjellë dhe prodhojnë në këtë mënyrë rezultate të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia në muajin mars në Ohër u pajtuan për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që parasheh njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku bën pjesë edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./VOA
Top Channel