Kisha Ortodokse Serbe tha se Policia e Kosovës ka ndaluar një ceremoni të planifikuar për të dytin vit radhazi në Katedralen e kontestuar “Krishti Shpëtimtar” e ndërtuar brenda kampusit të universitetit të Prishtinës.
Dioqeza e Rashkës së Prizrenit, e cila mbulon Kosovën tha se ndalimi është bërë pa asnjë bazë ligjore, “duke vazhduar shkeljet e rënda të të drejtave dhe lirive fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Dioqeza tha se disa ditë para festës kishte njoftuar Policinë e Kosovës për ceremoninë e planifikuar në Katedralen në Prishtinë më 24 maj, për të siguruar organizimin e parkimit të automjeteve, sipas Balkan Insight.
“Të mërkurën, më 23 maj, famullia jonë në Prishtinë joformalisht dhe vetëm gojarisht është njoftuar nga Policia e Kosovës se Kishës Ortodokse Serbe i është ndaluar të shërbejë liturgjinë e Ditës së Ngjitjes në Katedralen tonë “Krisht Shpëtimtar” në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.
“Prifti ynë u njoftua verbalisht se autoritetet e Kosovës po e ndalojnë kryerjen e ceremonive fetare në katedralen tonë në Prishtinë, përderisa vazhdon padia e Universitetit të Prishtinës kundër Dioqezës së Rashkës-Prizrenit, si dhe për shkak të pretendimeve dhe arsye të paspecifikuara sigurie. Asnjë vendim me shkrim nuk iu dorëzua priftit”, shtoi ajo.
Kisha e papërfunduar, ndërtimi i së cilës filloi në mesin e viteve 1990, kur Sllobodan Millosheviçi po përpiqej të konsolidonte kontrollin serb mbi atë që ishte atëherë provinca serbe e Kosovës, ka qenë subjekt i debateve të nxehta për dy dekada.
Në shtator të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës i dha Kishës Serbe të drejtat mbi tokën, e cila dikur ishte pjesë e kampusit të Universitetit të Prishtinës, duke refuzuar një ankesë të paraqitur nga universiteti.
Universiteti kundërshton pronësinë e kishës serbe mbi rreth katër hektarë tokë dhe bazën ligjore për ndërtesën, për shkak të lidhjeve të saj me regjimin shtypës të Millosheviçit.
Universiteti filloi procedurat në vitin 2012, por çështja u rrëzua në vitin 2015 kur përfaqësuesit e universitetit nuk u paraqitën në seancën kryesore. Çështja është dërguar në Gjykatën e Apelit në mars 2016.
Universiteti pretendoi se protestat para kishës i penguan përfaqësuesit e tij të merrnin pjesë në seancën e Gjykatës Themelore, por Gjykata e Apelit vendosi se ky arsyetim ishte i pabazuar.
Pas vendimit, universiteti ka nisur që në fillim një çështje të re, e cila është ende në procedim. Komuna e Prishtinës gjithashtu ka kontestuar pronësinë e kishës serbe mbi tokën.
Në shtator të vitit 2016, kishës iu vu zjarri nga sulmues të panjohur, duke nxitur anëtarët e kishës ortodokse serbe dhe komunitetit të bënin një pastrim dhe të fillonin punën e rinovimit.
Të hënën, Universiteti i Prishtinës lëshoi një deklaratë duke shprehur “shqetësim të thellë” për shërbimin në kishë, duke e quajtur kishën “një objekt të ndërtuar ilegalisht nga ish-regjimi serb në kampusin universitar”.
Top Channel