Shpërthimi i tubacioneve të Nord Stream, Rusia thërret ambasadorët e Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës

25/05/2023 13:59

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se ka thirrur ambasadorët e Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës, në shenjë proteste për “mungesën e plotë të rezultateve” të një hetimi mbi shpërthimet që dëmtuan tubacionet e gazit Nord Stream vitin e kaluar.

Kremlini ka kërkuar më parë përshpejtimin e hetimeve. Shtatorin e kaluar, disa shpërthime të pashpjegueshme nënujore shpërthyen Nord Stream 1 dhe tubacionet e sapondërtuara Nord Stream 2 që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik.

Shpërthimet ndodhën në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës dhe të dy vendet dyshojnë se ngjarja ishte e qëllimshme, megjithatë ende nuk është përcaktuar se kush ishte përgjegjës. Suedia, Danimarka dhe Gjermania po hetojnë ngjarjen.

Ministria e Jashtme e Rusisë i akuzoi të tre për zvarritje të qëllimshme dhe përpjekje për të fshehur se kush ishte pas shpërthimeve.

Në një deklaratë thuhet: “Është vërejtur se këto vende nuk janë të interesuara për të përcaktuar rrethanat e vërteta të këtij sabotimi. Përkundrazi, ata po vonojnë përpjekjet e tyre dhe po përpiqen të fshehin gjurmët dhe autorët e vërtetë të krimit pas të cilit ne besojmë se janë vende të njohura”.

Moska ishte e pakënaqur për atë që e quajti “natyrën e errët të hetimit dhe refuzimin e vendeve për t’u angazhuar me Rusinë” në hetime. Ministria e Jashtme ruse, pa dhënë prova, ka fajësuar për shpërthimet sabotazhin perëndimor. Ukraina dhe SHBA-të kanë mohuar të kenë ndonjë lidhje me sulmet, ashtu si Rusia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA