“Kemi nevojë për guximin për të udhëhequr dhe forcën për të fituar. Unë jam Ron Desantis dhe po kandidoj për president për të udhëhequr rikthimin e madh të Amerikës”.
Me këto fjalë, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis zyrtarizoi betejën e tij për nominimin republikan për president në zgjedhjet e vitit 2024, duke nisur kështu një përballje të ashpër me aleatin e dikurshëm, ish-Presidentin Donald Trump.
DeSantis e argumentoi kandidaturën e tij me pohimet se SHBA-ja po shkon në drejtimin e gabuar. “Kufijtë tanë në jug po dalin jashtë kontrolli, droga përmbyt vendin. Qytetet tona po gërryhen nga brenda nga kriminaliteti i lartë”, u shpreh ai duke drejtuar gishtin e fajit tek presidenti demokrat Joe Biden.
Emrin e Trumpit nuk e përmendi asnjëherë, megjithatë ish presidenti reagoi ndaj kandidaturës së DeSantis me një publikim masiv të postimeve sociale dhe e-mailave, ku e akuzoi 44-vjeçarin se po e kopjon. Në fakt, i konsideruar favorit mes republikanëve, me një profil kombëtar në rritje dhe burime të konsiderueshme financiare, më shpalljen e kandidaturës tashmë ai bëhet rivali më i madh i ish-kreut të shtetit për nominimin e shumëlakmuar të Partisë Republikane.
Duke zgjedhur Twitter-in si mënyrën për ta bërë të ditur vendimin e tij, guvernatori u përpoq të përfitonte nga e njëjta strategji që e ndihmoi Trumpin të shndërrohej nga një sipërmarrës i televiziv në një figurë kryesore të skenës politike. Por gjërat nuk shkuan saktësisht sipas planit për shkak të disa defekteve teknike. Elon Musk ia faturoi incidentin të “sforcimit” të serverave, sepse njerëz të shumtë po përpiqeshin ta ndiqnin bisedën audiofonike.
Fillimi u vonua me mbi 20 minuta përtej kohës së planifikuar, përdoruesit nxirreshin jashtë sistemit, dëgjoheshin eko nga mikrofonat, ndërkohë që në sfond kishte muzikë. DeSantis do t’i bashkohet një gare me shumë kandidatë republikanë, ku do të vendoset nëse partia do të largohet nga ish presidenti Donald Trump, në përpjekje për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden.
Top Channel