Vatikani merr vendimin, largon nga kisha drejtuesit dhe disa ndjekës të sektit katolik global
Në një seancë të mbajtur me dyer të mbyllura, një gjykatë në Rusi ka vendosur të zgjasë paraburgimin e Evan Gershkovich, një gazetar i Wall Street Journal me tre muaj të tjerë.
Ky zhvillim nxjerr në pah natyrën e fshehtë që rrethon çështjen kundër Gershkovich, i cili është korrespondenti i parë amerikan që mbahet në Rusi për akuza për spiunazh që nga epoka e Luftës së Ftohtë.
Gershkovich, një shtetas amerikan 31-vjeçar, u ndalua në muajin mars teksa ishte duke raportuar nga Rusia.
Pavarësisht akuzave për spiunazh, si Gershkovich, punëdhënësi i tij, ashtu edhe qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë akuzat. Gjykata tani ka urdhëruar që ai të qëndrojë në paraburgim deri më 30 gusht.
Seanca dëgjimore e së martës nuk u njoftua paraprakisht dhe e gjithë çështja është mbajtur në fshehtësi.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje se çfarë provash kanë mbledhur për të mbështetur akuzat për spiunazh.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, Tass, tha se seanca u mbyll sepse gazetari akuzohet për posedim të “materialeve sekrete”. Wall Street Journal raportoi të martën mbrëma se prindërit e Gershkovich, emigrantë sovjetikë që jetonin në Nju Xhersi, vizituan Moskën dhe panë djalin e tyre gjatë seancës së dëgjimore.
“Nuk di si ta përshkruaj këtë lumturi dhe këtë trishtim në të njëjtën kohë”, tha nëna e reporterit, Ella Milman. Ajo tha se Gershkovich dukej i relaksuar dhe në gjendje të mirë, dhe se ata komunikonin përmes buzëqeshjeve.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se të paktën një zyrtar i ambasadës amerikane mori pjesë në seancën dëgjimore.
Qeveria e SHBA më herët ka thënë se Gershkovich ishte arrestuar gabimisht dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës.
Zyrtarët e ambasadës amerikane u lejuan të vizitojnë Gershkovich një herë në burg që nga arrestimi i tij në Yekaterinburg më 29 mars, por autoritetet ruse kanë mohuar dy kërkesa të tjera të fundit për ta takuar atë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve në Uashington, “Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Rusisë që të përmbushë detyrimin e saj për t’i ofruar atij akses konsullor”. Ai shtoi se akuzat kundër Gershkovich janë të pabaza “dhe ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij “.
Analistët thonë se Moska mund të përdorë amerikanët e burgosur për “pazar politik” gjatë rritjes së tensioneve SHBA-Rusi për shkak të luftës të Kremlinit në Ukrainë.
Në një deklaratë pas seancës dëgjimore të së martës, Wall Street Journal tha: “Ndërsa prisnim se nuk do të kishte asnjë ndryshim në ndalimin e gabuar të Evan, ne jemi thellësisht të zhgënjyer. Akuzat janë dukshëm të rreme dhe ne vazhdojmë të kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm.” /REL
Top Channel