“Kosova qasje në fondet dhe proceset e OKB-së”, ​Kurti: Lobimi ynë për drejtësi klimatike nuk do të ndalet

24/05/2023 14:13

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se po lobojnë që Kosova të ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet dhe proceset e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, duke shtuar se nuk do të ndalen së lobuari për drejtësi klimatike.

Kurti në konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë” ka theksuar se Kosova qëndron krahas shteteve partnere evropiane në përpilimin e zbatimit të strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave përmes të cilave në thelb synohet tranzicioni i drejtë i ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme.

“Kosova qëndron krahas shteteve partnere evropiane në përpilimin e zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë tranzicionin e drejt drejtë ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme. Përmes tyre synojmë të adresojmë sfidat mjedisore që krijojnë barazi sociale, zhvillim ekonomik dhe gjithëpërfshirje. Koncepti i qëndrueshmërisë është më qendër të pothuajse të të gjitha politikave, strategjive e ligjeve, të cilat po i hartojmë e po i miratojmë. Gjatë gjysmës së parë të mandatit të qeverisë jemi fokusuar në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike. Përmes politikave gjithëpërfshirse e skemave për zhvillim në mbështetje sociale, të cilat kemi filluar t’i aplikojmë do të sigurojmë që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe ato të margjinalizuara të kenë përmirësim të dukshëm në mirëqenie, çasje në punësim, arsim e shëndetësi, energji e shërbime të tjera të qëndrueshme”, ka thënë Kurti.

Kurti është shprehur se përmes investimeve Korporatën Energjetike të Kosovës po e kthejnë në ndërmarrje më të pastër, duke instaluar 100 megavat energji diellore.

Për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave, Kurti ka thënë se kanë siguruar 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania. Ai ka theksuar se aktualisht, janë në një fazë të hershme të krijimit të sistemit të ndarjes në bazë dhe ndërtimin e qendrave të riciklimit.

Mes të tjerash, Kurti ka shtuar se trajtimi i ujërave të ndotura në nivel vendi është rritur nga 1% sa ishte kur e filluan mandatin par shumë se dy vitesh, në 11%. Ai ka thënë se synohet që në 5 vitet e ardhshme të kenë 7 kryeqendra me impiante.

“Synimi ynë është që të zhvillojmë bujqësi të qëndrueshme, përmes së cilës arrijmë të mbulojmë nevojat tona elementare me produkte bazë ushqimore, të sigurojmë ushqim të pastër e cilësor. Për trajtimin e ujrave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave kemi siguruar 100 milionë euro grante nga BE dhe Gjermania..Synimi ynë është që në pesë vitet e ardhshme të kemi shtatë kryeqendra me impiante… Kosova megjithëse ende nuk është anëtare e Konventës e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, çdo ditë e më tepër po e dëshmon vendosmërinë e saj në ndërmarrjet e verimeve për të reduktuar nivelin e ndikimit në mjedis…Aktivisht po lobojmë që Kosova ta ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet dhe proceset e organizatës së komebve të bashkuara për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Andaj, lobimi ynë për drejtësi klimatike ndaj Kosovës nuk do të ndalet”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se BE është e gatshme për të përkrahur Kosovën që të ketë zhvillim të qëndrueshëm.

“Në marrëveshjen e re të gjelbër, Bashkimi Evropian e ka njohur rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, ka vendosur synime ambicioze për të luftuar ndryshimet klimatike, duke promovuar energjinë e ripërtritshme, dhe tranzicionin në ekonomi qarkore. Kuptojmë se për të arritur këto qëllime na duhet edhe bashkëpunim dhe partneritet ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian është i gatshme për të përkrahur Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Szunyog.

Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde është shprehur se Kosova është ngritur në nivel më të lartë, duke iu afruar standardeve të Evropës.

Rohde ka thënë se duhet të ketë veprime të qarta dhe përkushtim nga Qeveria sa i përket çështjes së thëngjillit.

“Partneri ka për qëllim tranzicionin e neutralitetit të energjisë. Plani nacional i energjisë e i klimës është duke u hartuar me shpejtësi. Dua të theksoj se sa është e rëndësishme të ruhet ambicia. Më e rëndësishmja, duhet të kemi veprime të qarta dhe përkushtim nga Qeveria sa i përket çështjes së thëngjillit. Më vjen mirë të shoh se në Kosovë janë duke punuar edhe palë të tjera në mënyrë shumë konkrete, sektori privat po ashtu vërehet të jetë bërë palë e rëndësishme sa i përket energjisë së ripërtitshme. Gjithashtu, do të doja të theksoja rëndësinë e harmonizimit të praktikave të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me standardet e BE-së dhe zbatimin e një ekonomie më qarkore. Menaxhimi i integruar i mbeturinave në Kosovë kërkon deponi moderne. Ne duhet të rrisim shpejtësinë dhe planin e zbatimit të projekteve, veçanërisht deponisë së re për qytetin e Prishtinës”, ka thënë ai.

Rohde ka nënvizuar se duhet qëndruar së bashku të përkushtuar dhe të ruhen bukuritë natyrore dhe pasuritë e Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi ka thënë se Kosova ndër vite ka shënuar progres në këtë drejtim.

“Kur e shohim Kosovën këto gjashtë vjet, e shohim që ka një progres dhe po e shohim një Kosovë, një qeveri që është duke shkuar ka e gjelbërta. Prej perspektivës së shoqërisë civile ne gjithmonë kërkojmë më shumë, ndoshta edhe dëshira ynë që ta shohim Kosovën më mirë, dhe kemi dëshirë të shohim më shpejtë atë”, është shprehur Ejupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA