​Kosova heq gjendjen e emergjencës shëndetësore të Covid 19

24/05/2023 13:38

Kosova ka hequr sot gjendjen e emergjencës shëndetësore, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Covid 19 nuk paraqet më tej emergjencë globale shëndetësore.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ku edhe u mor vendimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se nuk shohin më arsye për masa anti Covid.

“Sot në mbledhje të qeverisë miratuam vendimin ku shpallet fundi i emergjencës shëndetësore. MSh e propozoi këtë vendim pas rekomandimit të IKhPK-së dhe deklaratës së OBSH-së, të datës 5 maj të këtij viti, se ‘Covid 19 nuk paraqet më tej emergjencë globale shëndetësore’. Këto 1 mijë e 164 ditë të emergjencës së shëndettit u tejkaluan me shumë sakrifica e mbi të gjitha me vetëmohim nga shumëkush”, tha Vitia.

Ministri Vitia theksoi se kjo sëmundje nuk është zhdukur, për ç’ka tha se tashmë institucionet e shëndetësisë në vend tashmë aplikojnë masat e mbikëqyrjes për aq është e nevojshme.

I pari i shëndetësisë shprehu mirënjohje ndaj qytetarëve për bashkëpunimin e tyre me institucionet, duke thënë se falë kësaj Kosova ka arritur të evitojë shumë humbje të tjera fatale. Derisa në veçanti përmendi mantelbardhët, gazetarët dhe punonjës të tjerë të institucioneve të vendit.

“Marrë parasysh fragjilitetin e sistemit tonë shëndetësor, në atë kohë edhe mungesën e mjeteve bazike siç janë alkooli, dorezat dhe maskat, kjo ka qenë për ne shumë shqetësuese. Ne kemi qenë në kontakt me mekanizmat botëror vazhdimisht si me OBSH-në, dhe i kemi përshtatur konform situatës që ka qenë në Kosovë… Sinqerisht, bashkëpunimi i qytetarëve dhe vetëdija e tyre, unë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time, s’kemi parë asnjëherë një sfidë të tillë si pandemia Covid 19, dhe falë tyre është respektuar në mënyrë të tillë që mendoj se janë parandaluar shumë infeksione të cilat kishin qenë potenacialisht edhe me përfundim fatal”, tha Vitia.

Ndërsa në 24-orët e fundit, një person ka ndërruar jetë për shkak të Covid 19.

Top Channel