Një katërvjeçar dyshohet se ka rënë në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë, mbrëmjen e së hënës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti, ka thënë për KosovaPress se po vazhdon operacioni i shpëtim-kërkimit, i cili ka nisur që dje.

Ky nuk është rasti i vetëm, sipas banorëve, në Bukosh të Vushtrrisë në të njëjtën rrjedhë të kanalit ka humbur jetën në 2015 një 70-vjeçar, ndërsa në 2022 është gjetur trupi i një fëmije. Niveli i ujit në këtë kanal është i ulët, por rryma është e fortë dhe është e vështirë të dilet në rast se dikush bie.

Ky është kanal për ujin e pijshëm në Vushtrri dhe një pikë e grumbullimit dhe përpunimit të ujit të pijshëm. Banorët thanë që kanë bërë ankesa të vazhdueshme për rrezikshmërinë e këtij kanali, por që kanë hasur në vesh të shurdhër. Sipas tyre edhe bagëtia u ka rënë kohë pas kohe sepse kanali është tërësisht i hapur.

Kërkimet për të gjetur trupin e 4-vjeçarit po vazhdojnë ende.

 

Top Channel