Sekretari i Forcave Ajrore amerikane: Balona spiune kineze nuk ishte me pasoja të mëdha

23/05/2023 21:23

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se përdorimi i balonave vëzhguese nga Kina është përpjekje për të zhvendosur vëmendjen dhe se ato nuk janë të rëndësishme krahasuar me problemin më të madh të paraqitur nga aftësia në rritje e Pekinit për militarizimin e hapësirës.

Përdorimi i balonave spiune nga Kina tërhoqi vëmendjen që kur Pentagoni njoftoi se po gjurmonte një prej tyre në lartësi të madhe, ndërsa ajo po udhëtonte mbi Shtetet e Bashkuara në muajin shkurt.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një pjesë të vogël të balonave kineze dhe objekteve të tjera të dyshimta në lartësi të mëdha, ndonjëherë duke përdorur armatime të avancuara dhe zyrtarët amerikanë madje kanë pranuar se balona ishte në gjendje të mblidhte disa informacione rreth bazave sekrete ushtarake. Por Sekretari i Forcave Ajrore Frank Kendall tha të hënën se, në një farë mënyre, përdorimi i balonave nga Kina, për të cilat Pekini thotë se janë balona për parashikimin e motit, është një largim i vëmendjes nga çështje më të mëdha.

Ata kanë një program shumë agresiv të mbledhjes së informacioneve të zbulimit. Balonat janë një pjesë shumë e vogël dhe jo shumë të rëndësishme e arsenalit të tyre“, u tha zoti Kendall gazetarëve gjatë një diskutimi me Grupin e Shkrimtarëve të fushës së Mbrojtjes në Uashington.

Zoti Kendall tha se ai është më i shqetësuar mbi atë që po ndodh në një lartësi më të madhe.

Pjesa hapësinore e këtij programi është shumë domethënëse dhe shumë e rëndësishme“, tha ai. “Ata po i lidhin aftësitë e tyre me bazë në hapësirë me forcat e tyre operacionale në tokë.”

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë paralajmëruar gjithashtu për përparimet e Kinës në hapësirë.

Kina e sheh hapësirën si një dobësi të mundshme të Shteteve të Bashkuara“, tha Doug Wade, kreu i programit për Kinën në Agjencinë e Zbulimit të Departamentit të Mbrojtjes, marsin e kaluar.

Ka një shumëllojshmëri të pajisjeve dhe aftësive hapësinore dhe anti-hapësinore në Kinë që na shqetësojnë shumë“, tha zoti Wade, duke e radhitur programin hapësinor të Pekinit “të dytin (në botë) pas atij të Shteteve të Bashkuara”.

Shefi i operacioneve hapësinore të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Chance Saltzman, paralajmëroi gjithashtu për aftësinë në rritje të Pekinit, duke e quajtur Kinën “kërcënimin tonë më të madh në hapësirë dhe nga hapësira”. Zoti Kendall tha të hënën se është veçanërisht shqetësuese aftësia në rritje e Kinës për të përdorur satelitët e saj për të gjurmuar trupat dhe pajisjet amerikane.

Një pjesë e madhe e kësaj aftësie operacionale është vëzhgimi, zbulimi, vënia në shënjestër e pajisjeve si aeroplanmbajtëset, njësitë e lëvizshme, dhe njësitë e tjera tokësore të llojeve të ndryshme“, tha ai.

Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve amerikanë që ligjvënësit të përqendrohen në aftësitë hapësinore të Kinës, ka patur nisma nga disa ligjvënës për të trajtuar kërcënimin e mundshëm nga balonat në lartësi të mëdha.

Sekretari i Forcave Ajrore, Frank Kendall u bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë në kohë buxhetin e mbrojtjes dhe të mbështesin përpjekjet për modernizimin e ushtrisë amerikane, përfshirë rritjen e aftësive për t’iu përgjigjur më mirë përparimeve të Kinës./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA