Trupi i pajetë i 4-vjeçarit, i cili ra në kanalin me ujë të Ibër-Lepencit, është nxjerrë pas disa orësh në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë në Kosovë.

Operacioni i shpëtim-kërkimit për gjetjen e tij nisi një ditë më parë.

Banorët thonë se ky nuk është rasti i parë në këtë zonë. Në Bukosh te Vushtrrisë në të njëjtën rrjedhë të kanalit një 70-vjeçar ndërroi jetë në vitin 2015. Në vitin 2022 po ashtu në të njëjtën rrjedhë është gjetur edhe një tjetër fëmijë i vdekur.

Niveli i ujit është i ulët, por sipas banorëve është e vështirë të dilet nëse bie për shkak të rrymës së fortë.

Banorët thanë që kanë bërë ankesa të vazhdueshme por që kanë hasur në vesh të shurdhër. Veç njerëzve, ka pasur edhe rënie të bagëtive, pasi kanali është tërësisht i hapur.

Nga kompania “Ibër Lepenci” nuk folën për mungesën e rrjetave dhe shenjave për rrezik përgjatë rrjedhës, ndërsa theksuan se  është projekt i Bankës Botërore.

Top Channel