Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme kërcënon integritetin zgjedhor në Kosovë, tha Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas tij, projektligji i cili pritet të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar në Kuvend, është alarm për shoqërinë civile dhe për akterët e përfshirë në këtë proces. Kështu u shpreh ai në vlerësimet e propozuara lidhur me reformën zgjedhore, pas projektligjit të propozuar nga komisioni ad-hoc.
Kryeziu tha se për më tepër se një dekadë reforma zgjedhore ka mbetur peng i vullnetit politik. Sipas tij, ky projektligj do të procedohet në Kuvend me procedura të përshpejtuara, edhe pse nuk ka ngut që të ndodhë një gjë e tillë.
“Nga ajo që ne kemi informacion tentohet që të futet në rend dite me procedura të përshpejtuara. Ligji i cili ka ardhur në parlament ka marrë edhe mbështetjen e qeverisë, pavarësisht se qeveria nuk ka arritur të jap një kosto financiare për koston e këtij ligji dhe ndryshimet apo të Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, nuk ka ndonjë kosto financiare pavarësisht impakteve që mund të ketë në organizimin e zgjedhjeve apo trefishimin e kostos që mund të arrijnë nga zgjedhjet e kaluara. Ky ligj përmban disa elemente, të cilat ne besojmë që seriozisht kërcënojnë integritetin zgjedhor dhe janë një alarm jo vetëm për shoqërinë civile, por edhe për akterët e përfshirë në këtë proces që ne të ju bëjmë thirrje institucioneve dhe liderëve të partive politike që të mos procedojnë me këtë format të këtij ligji, pa ju nënshkruar një debati dhe analize”, ka deklaruar Kryeziu.
Kryeziu ka shtuar se Komisioni për Reformën Zgjedhore filloi punën në mënyrë të hapur, por në përmbyllje të procesit ka qenë i mbyllur për shoqërinë civile.
Më tej, Kryeziu ka shtuar se me këtë projektligj nuk do të ketë reformë, por regres zgjedhor. Ai ka folur edhe për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, ku ka theksuar se personave të akuzuar për vepra korruptive u mundësohet garimi në zgjedhje.
“Ne mendojmë që ligji dhe komisioni dhe parlamenti i Kosovës duhet t’i referohet këtij neni (neni 22 i Kodit të Procudurës Penale) për përshtatshmërinë e kandidatëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Sepse dënimi efektiv me burg dhe mbajtja e burgut efektiv 1 vit apo 12 muaj e më shumë, potencialisht rrezikojmë të kemi kandidat të cilët kanë qenë të dënuar, qoftë me dënime tjera si gjoba, apo me kusht, apo edhe me 11 muaj me vepra korruptive dhe kanë mundësinë të përfshihen në listat zgjedhore. Dhe kjo nuk është vlerë dhe nuk plotëson standardet e vlerave për demokratizimin e partive politike, por as për nivelin e demokracisë në Kosovë… Në vitet e kaluara, nëse përfshijmë vitin 2021 dhe vitin 2022, mbi 200 raste të akuzuar për vepra korruptive të shërbyesve publikë, 60 për qind të tyre sot janë të dënuar me dënim gjobë apo dënim me kusht dhe kjo iu mundëson atyre të përfshihen në garën zgjedhore ”, ka shtuar Kryeziu.
Në prezantimin e këtyre vlerësimeve të KDI-së, Eugen Cakolli ka folur edhe për rritjen e votës preferenciale për kandidatët, ku ka kërkuar që të jetë e reduktuar në vetëm tre kandidatë.
“Ky ndryshim që është i dakorduar nga partitë politike parlamentare është vlerësuar nga ana e tyre që do të kontribuojë në rritjen e përfaqësimit dhe zbutjen e tensioneve dhe presioneve që ekzistojnë brenda subjekteve politike, si rezultat i garave të ashpra në mes të degëve të ndryshme të partive politike. Ne vlerësojmë që ky ndryshim në fakt nuk kontribuon aspak në rritjen e garës në mes të kandidatëve të të njëjtit subjekt politik, por thjesht përbën zhvendosje të atyre presioneve dhe përplasjeve që ekzistojnë brenda partive politike tek votuesit të cilët duhet të ballafaqohen me kërkesa të shumta dhe me dyfishim të kërkesave nga politikanët për t’i votuar të njëjtit. Rritja e votës preferenciale për 10 kandidatë, nuk mundëson as administrim më të mirë të procesit zgjedhor”, ka vijuar Cakolli para gazetarëve.
Po ashtu, Cakolli ka theksuar se me rritjen e votës preferenciale mundësohet manipulimi nga ana e komisionerëve. Ai ka theksuar se ndryshimet e propozuara është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të këtij institucioni me propozim të 2/3 të përbërjes së KQZ-së. Sipas Cakollit, me këtë mundësohet që të ketë politizim të mandateve dhe shkarkim të shpeshtë të kryesuesit apo anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Top Channel