Eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie drastike, në vlerë rreth 17 për qind në muajin prill të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion euro, ndërsa importi 448.2 milion euro, e cila trego një rënie prej 16.9 për qind për eksport, sipas Kosovapress.

“Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion Euro, ndërsa importi 448.2 milion Euro, që është një rënie prej (-16.9%) për eksport, si dhe (-3.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raportin e Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë të publikuar nga ASK për muajin prill 2023.

Në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27.0 milion Euro, ose 40.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -14.6%).

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 16.0%, Shqipëria 12.4%, Serbia 6.7%, dhe Mali i Zi 3.6%.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0% e përbëjnë produktet minerale; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit, etj.

Sfidë tjetër për vendin mbetet edhe importi nga Serbia, që ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërsa, ka shënuar rritje importi i mallrave nga Serbia prej 27.246 milionë euro në 27.526 milionë ose 280 mijë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2023, arritën në 78.3 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.1%), Shqipëria (5.6%), Maqedonia e Veriut (4.6%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.7 milion Euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (14.6%), dhe Zvicra (9.2%).

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-0.2%) në muajin prill 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 380.9 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 381.7 milion eurosh në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 15.0%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA