Gazetari Sokol Bregu i ftuar në “Top Story” reagoi i revoltuar për shembujt që ndjekin adoleshentët, kryesisht nga TikTok-u dhe rreperët e rrëmë, siç i quan ai, bazuar edhe tek ngjarja pak ditë më parë ku humbi jetën një 15-vjeçar si pasojë e një konflikti në këtë rrjet social.
“Dikur në Shqipëri kishim idhull trupat e bukur, Steave Reeves, Herkulin… baballarët e atyre që janë tani 16 apo 18 vjeç kishin një idhull, donin të kishin një trup të bukur. Dhe në konfliktet e tyre me grushta dikur e mbyllnin aty dhe pas konfliktit bëheshin edhe miq, kjo ishte shoqëria më përpara.
Diçka tani nga idhujt ndryshon, nga gjuha e përdorur keqazi në TikTok, nga rreperët e rremë, nga mënyra se si trajtohen, nga veset, nga ajo që duhet të bëhen… dhe kanë humbur të gjithë një busull dhe mbi të gjithë janë edukatorët ata që e kanë humbur busullën”, tha Bregu.
Gazetari reagoi gjithashtu i revoltuar nga qeveria dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila sipas tij duhet të kishte një mënyrë tjetër të qasjes për këtë ngjarje dhe jo vetëm të tregonte që nuk ishte përgjegjësia e tyre.
“Kemi një reagim të dobët nga qeveria. Ministrja e Arsimit e kalon me pesë apo gjatë radhë në faqen e saj të Facebook-ut dhe në një mënyrë të çuditshme në fjalinë e tretë thotë: ‘Pavarësisht se ndodhi jashtë ambienteve të shkollës’. Do me thënë shtyhu tre metra se nuk është përgjegjësia ime, ndërkohë që gjithë ky konflikt mund të ketë një ndërgjegjësim për të gjithë. Duke qenë se është një deputete e nxjerrë vetë nga ky qark duhet të kishte një mënyrë tjetër të qasjes, e trajton sikur nuk është përgjegjësia jonë”, tha Bregu.
Top Channel