Bashkimi Evropian gjobiti të hënën kompaninë Meta, pronare e rrjetit social Facebook, me një shifër rekord prej 1.2 miliardë eurosh, për shkelje të privatësisë dhe e urdhëroi atë të ndalojë transferimin e të dhënave të përdoruesve evropianë përtej Atlantikut, deri në tetor.
Beteja ligjore 10-vjeçare u nxit nga frika mbi mundësinë e qasjes së paautorizuar të Shteteve të Bashkuara tek të dhënat personave apo kompanive evropiane.
Beteja ligjore nisi më 2013, kur avokati austriak dhe aktivisti i çështjeve të privatësisë, Max Schrems, u ankua për mënyrën se si Facebook-u, mbronte të dhënat e tij, pas informacioneve që bëri publike ish-punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden, mbi përgjimet që bënte agjencia amerikane e sigurisë.
Gjoba prej 1.2 miliardë eurosh nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë, është më e madhja që nga hyrja në fuqi e rregullave të rrepta të mbrojtjes së privatësisë në BE, pesë vjet më parë, duke tejkaluar gjobën prej 746 milionë eurosh ndaj kompanisë Amazon më 2021, po për shkelje të privatësisë.
Mbikëqyrësi irlandez është rregullatori kryesor i privatësisë së firmës Metës në bllokun prej 27-vendesh, sepse qendra evropiane e gjigantit teknologjik është e regjistruar në Dublin.
Kompania Meta, e cila kishte paralajmëruar më herët se shërbimet për përdoruesit e saj në Evropë mund të ndërpriteshin, tha se do ta apelojë vendimin dhe kërkoi nga gjykatat që ta pezullojnë atë menjëherë.
“Nuk ka ndërprerje të menjëhershme të Facebook-ut në Evropë”, tha kompania.
“Vendimi është i gabuar, i paarsyeshëm dhe përbën një precedent të rrezikshëm për shumë kompani të tjera, që transferojnë të dhëna midis BE-së dhe SHBA-së”, thanë zyrtarët e Meta-s.
Ky rast nxjerr në pah dallimet midis Uashingtonit dhe Brukselit mbi rregullat e rrepta të Evropës mbi çështjet e privatësisë dhe masave të dobëta në Shtetet e Bashkuara, në mungesë të një ligji federal mbi privatësinë.
Një marrëveshje mbi transferimet e të dhënave midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, e njohur si Mburoja e Privatësisë, u shfuqizua më 2020 nga Gjykata e Lartë e BE-së, me arsyetimin se ajo nuk ishte e mjaftueshme për të penguar qasjen e qeverisë amerikane tek të dhënat e përdoruesve.
Ndërkohë, Brukseli dhe Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje të re privatësie vitin e kaluar, që Meta mund ta përdorë. Marrëveshja e rishikuar është në pritje të vlerësimit të zyrtarëve evropianë, nëse ajo është e mjaftueshme për mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.
Këtë muaj, institucionet e BE-së dhe ligjvënësit e bllokut kërkuan përmirësime, duke thënë se masat mbrojtëse nuk janë mjaft të forta.
Zyrtarët thanë se masa e re për mbrojtjen e të dhënave mund të jetë gati në korrik, por Meta ka paralajmëruar se ka gjasa që ajo të mos jetë gati në kohë.
Kompania e mediave sociale mund të detyrohet të bëjë një rishikim të kushtueshëm dhe të ndërlikuar të operacioneve të saj, nëse detyrohet të ndalojë dërgimin e të dhënave të përdoruesve përtej Atlantikut.
Sipas faqes së saj të internetit, 17 nga 21 qendrat e të dhënave të kompanisë Meta ndodhen në Shtetet e Bashkuara.Tre janë në Danimarkë, Irlandë dhe Suedi, ndërsa një është në Singapor./ VOA
Top Channel