Në katër muajt e parë të vitit qeveria mblodhi 163 milionë euro apo 9.7% më shumë të ardhura në buxhet. Por, në prill për herë të parë të ardhurat u rritën më pak se inflacioni, duke sinjalizuar ngadalësim ekonomik.
Lokomotiva që udhëhoqi rritjen buxhetore vitin e kaluar, TVSH-ja apo siç njihet ndryshe taksa e konsumit, ka pësuar rënie gjatë këtij viti. Efektin më të madh në rënien e TVSH e ka dhënë ajo që mblidhet për mallrat e importit, ndërsa shifrat e prillit treguan rënien e fortë që pësoi tregtia e jashtme edhe nga zhvlerësimi euros. Rënia e çmimeve të karburanteve është gjithashtu një tjetër faktor negativ për indikatorin. Në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë janë 320 milionë më pak në buxhet.
Tashmë peshën më të madhe në rritjen buxhetore po e mbajnë tatimi mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale. Bizneset kanë derdhur 43.9% më shumë taksa në arkën e shteti, ndërsa rritja e pagës minimale, por dhe asaj mesatare në sektorin privat solli 23.5% më shumë në buxhet, duke tejkaluar edhe planin.
Në krahun e shpenzimeve, qeveria vijon të tregohet dorështrënguar, duke vijuar problemin e mosplanifikimit të mirë. Në katër muaj shpenzimet u rritën me 3.4 miliardë lekë dhe u realizuan në masën 88.1% të planit.
Ndërkohë suficiti buxhetor arriti në 33.9 miliardë lekë, rritje me 78.6%. Deputetët dhe ekspertët kanë bërë shpesh kritika për shpërndarjen buxhetore që grumbullohet e gjitha në dy muajt e fundit të vitit.
Top Channel