Tregtia e jashtme është ngadalësuar në katër e muajt e parë të vitit. Në muajin prill rënia ishte edhe më e fortë për eksportet shqiptare me gati 20%.
Edhe importet pësuan gjithashtu rënie me rreth 4%, ndërsa deficiti tregtar vijon të zgjerohet. Tashmë tregtia e jashtme ka kaluar në territor negativ në krahasim me vitin e kaluar.
INSTAT shpjegon se në rënien e fortë të eksporteve, ka ndikuar dhe zhvlerësimi i euros, pasi 75% të eksporteve shqiptare shkojnë drejt BE. Tkurrjen më të fortë në eksporte e kanë materialet e ndërtimit dhe metalet, ndikuar nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndjekur nga grupi i mineraleve, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Tkurrje ka pasur edhe për grupin e tekstileve dhe këpucëve.
Fasonët ishin ndër të parët që raportuan goditjen e fortë nga zhvlerësimi i euros, pasi kontratat e tyre të nënshkruara përpara një viti përfshinin një tjetër nivel kursi. Edhe grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit që pati zgjerim të fortë në tremujor, ka ardhur në ngadalësim gjatë prillit. Eksporti i produkteve ushqimore ndërkohë pati një rritje anemike me vetëm 0.2%.
Eksportet, gjatë këtij katërmujori janë ulur me -3,4 %, krahasuar me një vit më parë. Në këto katër muaj, Shqipëria ka dërguar më pak mallra drejt Italisë, Gjermanisë dhe Kinës, ndërsa kemi pasur rritje me Greqinë, Kosovën dhe Spanjën.
Top Channel