Një ditë para se të raportonte maratonën e zgjedhjeve lokale, gazetarja Dorjana Bezat përjetoi një aksident, ku theu krahun.
Gjithsesi, gazetarja nuk e vuri asnjëherë në dyshim nëse do të dilte në punë në 14 maj, në një nga ditët më të rëndësishme në karrierën e një gazetari, për të përcjellë të shikuesi procesin e votimit.
E ftuar sot në Ftesë në 5, me Bieta Sulon, Dorjana tregon se personi i parë që telefonoi pas aksidentit ishte kryeredaktori i lajmeve Altin Kreka, për ta informuar se nuk mund të dilte ‘live’ në edicionin qendror të lajmeve.
“Është një thyerje, mora ndihmën e nevojshme në spitalin e Traumës. Kam një allçi që më duhet ta mbaj për gjashtë javë. Që kur ndodhi incidenti, personi i parë që telefonova ishte Altin Kreka. I thashë po shkoj te spitali, të shoh si kam dorën”.
Megjithatë, ajo tregon se pavarësisht insistimit të kolegëve për të qëndruar në shtëpi, doli në punë për të raportuar, teksa veshi xhaketën e bashkëshortin për të mbuluar allçinë. Disa herë u lëndua në terren, por nuk u dorëzua.
“Dëmtova dorën para së të dilja live-t në edicionin e 19:30, ku do të raportoja rezultatin në Kamzë. Pa dashje, mbajta celularin me dorën e thyer”.
Gjatë intervistës, gazetarja që mbulon kronikën, tregoi për sfidat e raportimit në terren.
“Arsimin e kam bërë për mësuesi. Kam punuar në një shkollë private, pastaj provova më pas një eksperiencë në gazetë. Më pas, kam nisur transmetimin në News 24. Asnjë ditë nuk është e njëjtë me tjetrën. Nuk ka monotoni në këtë sektor. Je ti që e gjen, e gërmon lajmin dhe ia jep publikut.
Ka qenë një rast kur jam frikësuar për jetën. Një grua ishte kërcënuar në Kamëz. Unë, me naivitetin e gazetarit shkova atje dhe pyeta një burrë për banesën e zonjës dhe ai ishte vetë personi që e kishte kërcënuar. Ai më drejtoi armën. Unë i shkova te shtëpia për t’i marrë adresën e gruas. Kishte një fytyrë të vrazhdë, kishte shenja. E vetmja gjë që unë thosha ishte: jam gazetare. Kam ikur me urbanin e parë që më doli para. Aty unë vrava frikën dhe kam vazhduar kështu gjithmonë, sepse mua nuk po më paguan njeri”.
Top Channel