Fituesi i Bashkisë Shkodër Benet Beci, ka dhënë një deklaratë për mediat pak minuta më parë.
Ai momentalisht ndodhet në Tiranë, ku i është bashkuar grupit të socialistëve për të festuar bashkë fitoren e thellë.
Gjatë fjalës së tij Beci tha se është shumë mirënjohës për besimin dhe se do të punojë shumë për ta kthyer në punë besimin e qytetarëve që i kanë dhënë votën, duke realizuar projektet që ka premtuar.
“I jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin. Jam këtu për ta kthyer në punë besimin e tyre. Besimi i tyre është një obligim i yni për secilin qytetar që na ka votuar dhe që nuk na ka votuar. Do të jemi në shërbim të çdo shkodrani e shkodraneje. Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që kemi pasur një fushatë të qetë në Shkodër për të cilën i jam mirënjohës çdo anëtari të PS-së të cilët ndonjëherë as nuk guxonin të mendonin se do të fitonin e kanë qenë mbështetës. I jam mirënjohës çdo demokrati që na kanë parë me besim. Për ne është obligim t’jua kthejmë në punë dhe atyre. Sot jemi para një sfide të jashtëzakonshme për ta bërë atë që premtuam me një mirënjohje të veçantë për kryeministrin Rama. Planet dhe projektet që ne kemi bërë për Shkodrën do të bëhen realitet. Faleminderit të gjithë votuesve e numëruesve dhe ekipit tim, ju jam mirënjohës.”– tha Beci.
Beci mori një fitore të thellë në Shkodër ku arriti 34470 vota duke lënë pas Spahinë me 22769 vota.
Top Channel